Njësitet e Policisë së Kosovës kanë arrestuar të premten një person, i cili dyshohet se për disa vite ka kryer veprën penale ‘shmangie nga tatimi’, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës prej më shumë se 700 mijë euro.
Ky arrestim i këtij personi ka ardhur pasi policia në muajin prill të këtij viti mori informatën dhe pastaj zhvilloi hetimet ndaj të dyshuarit.
“Me datën 23.04.2019 në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – DHKEK është pranuar informata se një i dyshuar është duke kryer veprën penale ‘shmangie nga tatimi. Pas analizimit të informatave nga hetuesit e DHKEK-së, janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe në bashkëpunim me zyrtarët e ATK-së është vërtetuar se i dyshuari i lartcekur ka kryer veprën penale në periudhën kohore 2015-2016, duke dëmtuar në këtë mënyrë buxhetin e Kosovës prej 744,321.91 euro”, njofton policia.
Tutje tregohet se personi i dyshuar dhe i arrestuar lidhur me këtë rast është A.M. (i lindur me 1986).
Ndërkaq, pas intervistimit të dyshuarit të lartcekur, në konsultim dhe me urdhër të Prokurorisë Themelore Mitrovicë, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.








