Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, duke kritikuar ashpër qasjen e partisë në pushtet ndaj krizës energjetike dhe kostos së jetesës për qytetarët.
Abdixhiku deklaroi se një qeveri e udhëhequr nga LDK-ja do të vendosë moratorium të plotë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 3 vitet e ardhshme.
“Unë këto s’mund t’i pranoj. Unë çfarë mendoj se LDK-ja do të sjellë në këtë diskutim është pikërisht e kundërta e kësaj. Të flasë për energji, t’ju them qytetarëve që s’do të ketë rritje të çmimeve për 3 vitet e ardhshme. Moratorium i plotë në çmimet e energjisë elektrike”, deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se kjo nuk duhet parë si një premtim elektoral, por si një obligim shtetëror dhe kombëtar ndaj qytetarëve të Kosovës.
“S’është premtim, është detyrim kombëtar. Është detyrim kombëtar që të sjellim gazin amerikan”, tha Lumir Abdixhiku.
Deklarata e tij vjen në një periudhë të debatit të shtuar publik rreth rritjes së vazhdueshme të kostos së energjisë dhe ndikimit që ajo ka në ekonomitë familjare dhe bizneset në Kosovë.






