Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Kosova po përballet me një situatë të paprecedentë institucionale, ku sipas tij tri institucionet kryesore të shtetit funksionojnë pa legjitimitet të plotë demokratik.
Në emisionin “Pressing” në T7, Abdixhiku tha se për herë të parë në vend, Kryeministria, Presidenca dhe Kuvendi udhëhiqen nga ushtrues detyre dhe jo nga bartës me mandat të plotë politik.
> “Për herë të parë në vendin tonë, tri institucionet bazike; Kryeministrinë, Presidencën, Kuvendin; i ke pa zot shtëpie me legjitimitet demokratik”, deklaroi Lumir Abdixhiku.
Ai theksoi se Kosovës i duhet balancë demokratike dhe funksionim institucional, e jo përqendrim i vendimmarrjes tek një individ i vetëm.
“Marrim një pyetje themelore: a dojmë të kemi një shtet ku një njeri pyetet për gjithçka dhe të tjerët nënshtrohen, apo e dojmë balancën demokratike? Unë sinqerisht besoj që edhe po të ishte puna tek unë, është më mirë të ketë balancë sesa kontroll nga një individ”, tha Abdixhiku.
Sipas liderit të Lidhja Demokratike e Kosovës, situata aktuale paraqet mungesë të legjitimitetit demokratik në institucionet më të rëndësishme të shtetit, duke ngritur shqetësime për funksionimin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Kosovë.





