Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër të Kosovës Kadri Veseli ka mbajtur sot tubim në Prizren ku të pranishëm ishin mijëra simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës duke dëshmuar edhnjëherë se Prizreni është bastion i PDK-së.
Ai para simpatizantëve të shumtë të PDK-së ka thënë se ky është një entuziazëm i njerëzve që e duan vendin e vet, qytetin e vet dhe e duan fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Oponentët tanë po çuditen pse kjo përkrahje për ne. Sepse, ne nuk flasim, por veprojmë dhe vendosim. Sepse, ne nuk shajmë, nuk ndajmë, por pajtojmë, afrojmë dhe bashkojmë. Ne jemi të vetmit që marrim vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Jemi të vetmit që kemi projekte për Kosovën. Kjo është rruga e fitores, rruga e besimit për qytetarët tanë”, u shpreh Veseli.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se kushdo që është për ekonominë e dijes, për ndërmarrësinë dhe ekonominë prodhuese… kushdo që është për marrëdhënie të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duhet të bëhet bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Është e shenjtë liria jone. Është e shenjtë sakrifica jonë. Kushdo që e do Kosovën, duhet ta dojë edhe Amerikën. Ua jap besën se Prizrenin, kryeqytetin historik të shqiptareve, do ta bëj vendin më të bukur të shqiptareve kudo që jetojnë”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se Vetëvendosje po i mashtron të gjithë, ashtu siç i ka mashtruar prizrenasit.
“Mos u besoni atyre që vendosin maskë para zgjedhjeve. Ditën tjetër ata do ta dëmtojnë partneritetin më të rëndësishëm të Kosovës, atë me Amerikën”, ka thënë ai.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër u ka kërkuar të gjithëve që ta votojnë numrin 112 dhe Partinë Demokratike të Kosovës.








