Shpend Ahmeti: E kemi ditur se popullariteti jonë do të bie pas daljes nga Vetëvendosje

- Shpërndarje nga ILIRIANPOST.COM

Shpend Ahmeti i PSD-së, ka thënë sot në Interaktiv të KTV-së, se pjesë e programit të përbashkët me AAK-në e Ramush Haradianjt, është energjia e ripërtërishme, por ajo që nuk i dëmton pasuritë e Kosovës.

“Nuk mund të jemi për hidrocentrale, që i lënë lumenjtë e fshatrat pa ujë. Nuk mund të flasim për hidrocentrale në përfitim të dikujt, e në dëm të pasurive që i ka Kosova. Nuk ka të bëjë vetëm me revokimin e lejeve, por për më tepër me ruajtjen e këtyre aseteve”, ka thënë Ahmeti.

“Jemi të kujdesshëm edhe për përdorimin e qymyrit. Jemi kundër kontratës me Contour Globalit, dhe do ta votojmë kundër nëse vjen në Kuvend. Ia kemi thënë edhe z. Haradinaj dhe AAK-së, që mos prisni nga ne që ta votojmë. I kemi thënë edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit se si parti e majtë jemi kundër kësaj kontrate, duke qenë se është edhe e dëmshme për Kosovën”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se për këtë çështje kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim.

I pyetur se pse ka vendosur të futet në listën e kandidatëve për deputetë kur ka thënë hapur se do të jetë kryetar i Komunës së Prishtinës, Ahmeti ka thënë se e ka bërë këtë për shkak se “ka marrë përgjegjësi për ta drejtuar PSD-në”.

“Më e lehta për mua ka qenë që të them se unë jam kryetar i Prishtinës, vazhdoni ju, dhe nesër pavarësisht rezultatit të shmang përgjegjësinë”, ka thënë Ahmeti. “Varësisht nga rezultati unë do të mbetem në krye të Prishtinës”, ka thënë ai.

Ahmeti ka thënë se edhe kur ka qenë në Vetëvendosje, kishte qenë Albin Kurti që i kishte kërkuar që të jetë në listën për deputet, ani pse ishte kryetar i Prishtinës.

“Sepse kisha popullaritet, dhe thoshte se dikush mund ta votojë Vetëvendosjen vetëm për shkak të Shpendit”, ka thënë Ahmeti.

I pyetur se a mendon se pas daljes nga Vetëvendosje i ka rënë popullariteti, Ahmeti është përgjigjur me “natyrisht se po”.

“Këtë e kemi ditur qysh në momentin që kemi dalë. Por fakti që kemi dalë në kohën kur kemi pasur popullaritetin më të madh tregon se ne nuk kemi pasur kalkulim, ka qenë bindje. Edhe pse ne nuk kemi ndryshuar parime… atje është emri dhe brendi i Albinit i cili e mban Vetëvendosjen atje ku është, por nuk është më ajo ekipa, bërthama të ciklën e kanë pasur edhe për debate, edhe për politika edhe për plot gjëra të tjera”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë po ashtu se beson që qeveria e ardhshme s’do të mund të përbëhet vetëm nga dy subjekte politike shqiptare.

Për ndryshimin e qëndrimit të VV-së për flamurin shtetëror, Ahmeti ka thënë se ai gjithmonë i ka respektuar simbolet shtetërore.

“Flamurin e Kosovës prej ditës së parë kur jam bërë kryetar e kam pasur në zyrë. Jam kryetar i kryeqytetit të Republikës së Kosovës. U kam thënë edhe në VV se s’pajtohem të mos i respektoj”, ka deklaruar ai.

Për ndryshimet në VV, ai ka thënë se kjo parti madje po mashtron edhe besimtarët myslimanë duke u falur në dy të premtet e fundit para zgjedhjeve.

“Po shoh se po ndryshojnë qëndrimet. Edhe atëherë më 2017 kur isha kandidat për Prishtinën thosha po falen xhumave, edhe tash dy të premtet e fushatës po shkojnë të falen për të marrë vota te besimtarët. Edhe sipas fesë ajo është ndër gjynahet më të mëdha”, ka deklaruar në fund ai.

- Shpërndarje nga ILIRIANPOST.COM