Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ende beson se partia që ai përfaqëson mund të dal fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, pasi ende nuk janë numëruar të gjitha votat, pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje është me shumë se 10 mijë vota para LDK-së.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, e ka quajtur fitues të vegjël të këtyre zgjedhjeve LDK-në dhe VV-në.
“Në Kosovë ka fitu opozita, jo individi e as grupi politik. Nëse e bëjmë një përkufizim, i bie që qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim dhe ia kanë besu LDK-së dhe LVV-së këtë rezultat. Fitues të vegjël janë LDK dhe LVV. Ne po e presim rezultatin final të zgjedhjeve sepse votat nuk janë numëruar deri në fund”, ka thënë Haziri, raporton FaktePlus.
Haziri ka kërkuar nga cilado parti që del fituese pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, që të sillet kokulur karshi rezultatit pasi qytetarët kanë votuar për ndryshim.
“Cilado parti që del fituese, duhet të sillen përgjegjshëm dhe kokëulur karshi këtij rezultati sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike. Na ka rastisë që jemi kamp opozitar dhe besimi është në subjektet tona politike. LDK ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë, ai e udhëheq qeverinë!”, ka theksuar Haziri.







