Liderë europianë, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrin pjesë sot në Kopenhagë të Danimarkës në samitin e shtatë të Komunitetit Politik Europian.
Në agjendën zyrtare të publikuar nga Bashkimi Europian, Kosovës i është vendosur fusnotë, ndërsa janë përmendur vendet pjesëmarrëse.
Samiti i 7-të i Komunitetit Politik Europian do të mbledhë liderë nga i gjithë kontinenti, me fokus kryesor forcimin e Ukrainës, sigurinë e përgjithshme në Europë dhe krijimin e një Europe më të fortë e më të sigurt në situatën aktuale gjeopolitike.
Pas seancës plenare, do të zhvillohen tryeza të rrumbullakëta me diskutime mbi kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migracionin.
“BE-ja do të përfaqësohet nga António Costa, Presidenti i Këshillit Europian, i cili do të kryesojë takimin bashkë me Mette Frederiksen, Kryeministren e Danimarkës”, thuhet në agjendë.
/ILIRIANPOST.COM







