Gjashtë muaj para se t’i përfundojë mandati, presidentja Vjosa Osmani përballet me dilema të mëdha politike rreth mundësisë së një mandati të dytë. Edhe pse Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar, partitë politike kanë filluar të shfaqin qëndrime të ndryshme mbi rikandidimin e saj.
Në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Alternativë ka sinjale pozitive, ndërsa LDK mbetet e rezervuar për të komentuar. PDK dhe AAK janë shprehur hapur kundër mundësisë që Osmani të vazhdojë në krye të shtetit.
Mandati drejt fundit – afatet kushtetuese
Mandati aktual i presidentes Osmani përfundon më 4 prill 2026, dhe sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit, pra deri më 4 mars 2026.
Në dy raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në të tretin mjaftojnë 61 vota – përndryshe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Vetëvendosje: “Mbështetje miqësore, por ende pa vendim”
Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress se subjekti i tij mbetet “miqësor” ndaj presidentes, por vendimi për mbështetje do të merret pas diskutimeve të brendshme:
“Mbështetja e LVV-së nuk ka munguar, madje zonja Osmani është bërë presidente falë përkrahjes sonë dhe të Albin Kurtit. Por vendimin për rikandidim do ta marrim pas një diskutimi në struktura.”
Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, konfirmon se nuk ka ende diskutim zyrtar për emra konkretë, por se bashkëpunimi me presidenten Osmani mbetet i afërt:
“Kemi orientim të përbashkët me Presidenten Osmani dhe me Lëvizjen Vetëvendosje. Deri tani, nuk ka nisur zyrtarisht diskutimi për emra apo vazhdimin e mandatit.”
LDK: “Presidenti kërkon marrëveshje politike”
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, është i përmbajtur:
“Presidenti i ri ka nevojë për 81 vota. Duhet marrëveshje politike – pa të nuk mund të kemi institucione funksionale.”
Në këtë fazë, LDK po shmang deklaratat e drejtpërdrejta për mbështetje apo kundërshtim të Osmanit.
PDK dhe AAK: Kundër një mandati të dytë
Në PDK, qëndrimi është i qartë. Sekretarja e përgjithshme Vlora Çitaku thotë se institucioni i Presidentit duhet të përfaqësohet “më përgjegjshëm se në vitet e fundit”:
“Kam pasur pritje më të mëdha nga zonja Osmani, sidomos në raportet me aleatët dhe mbrojtjen e institucioneve të pavarura.”
Edhe më të ashpër janë reagimet në AAK. Deputeti Lahi Brahimaj deklaron se Osmani “ka qenë vegël politike e Albin Kurtit” dhe se Aleanca “nuk do ta votojë në asnjë rrethanë”:
“Asnjëherë nuk e ka luajtur rolin e personit unifikues. Ka qenë në shërbim të Kurtit, jo të shtetit.”
Analistët: “Osmani nuk e meriton edhe pesë vjet të tjerë”
Sipas analistit politik Albinot Maloku, Osmani ka ambicie për t’u rizgjedhur, por jo edhe bazë reale politike:
“A e meriton një mandat tjetër? Jo. Ajo nuk e ka përmbushur rolin kushtetues dhe nuk ka arsye që të rizgjedhet.”
Kuvendi ende i pakompletuar
Ndërkohë, legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës ende nuk është konstituar plotësisht. Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që brenda 12 ditësh pas publikimit të aktgjykimit të plotë, Kuvendi të përfundojë procesin e konstituimit, duke përfshirë zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.







