Së shpejti oritet të fillojnë punimet për parkingun nëntokësor në kryeqytet

- Shpërndarje nga ILIRIANPOST.COM

Parkimi i veturave në hapësira publike apo trotuare me vite të tëra ka penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve në kryeqytet. Për të minimizuar këtë problem, Komuna e Prishtinës ka paraparë që të ndërtohen parkingu nëntokësor në oborrin e Fakultetit të Filologjisë.

Ditë më parë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se tashmë janë kryer të gjitha procedurat ligjore për të filluar punimet.

Ndërsa punimet në teren pritet që të fillojnë në ditët në vazhdim.

Miranda Mullafazliu – Bejta i ka thënë se Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se punimet do të fillojnë së shpejti.

“Procedurat ligjore kanë përfunduar dhe ne si komunë i kemi kryer obligimet tona. Në ditët në vazhdim pritet që të fillojnë punimet dhe se gjithçka deri më tani është gati. Ky parking pritet të ketë një kapacitet të mjaftueshëm për makina dhe shpresojmë që problemi i parkingjeve në komunën tonë do të minimizohet”, tha Mullafazliu-Bejta.

Parkingu nëntokësor, që do të ndërtohet te Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë ishte paraparë që deri në fund të vitit 2018 t’i kalojë të gjitha fazat që parashihen me procedurat e partneritetit publiko- privat, në mënyrë që në fund të dhjetorit të mund të fillojnë ndërtimi i tij.

Edhe pse të gjitha afatet e parapara kanë kaluar, ndërtimi ende nuk ka filluar.

Ndryshe kapaciteti i këtij parkingu do të jetë 500 deri 900 makina.

Nga ajo që kanë deklaruar më parë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në këtë projekt që do të kryhet sipas procedurës së partneritetit publiko-privat, vlera investuese është rreth 12 milionë euro, kurse kohëzgjatja e koncesionit do të zgjasë nga 25 vjet deri në 40 vjet.

- Shpërndarje nga ILIRIANPOST.COM