Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk mund ta shpallin fitoren sonte, pasi diferenca mes tyre dhe VV-së është e ngushtë dhe vetëm pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës do të dihet për fituesin e këtyre zgjedhjeve.
Ajo ka theksuar se do ta pranoj secilin verdiktë të popullit pasi të numërohet edhe vota e fundit dhe të dihet fituesi i zgjedhjeve.
“Dua t’i falënderoj votuesit e LDK-së për besimin e dhënë dhe që me dhanë mundësinë që brenda një muaji ta ngrisim partinë tonë dhe ta kthejmë fuqishëm. Për sonte nuk mund të shpallim fituesin, sepse duhet të presim deri në numërimin e votës së fundit dhe fituesin do ta përcaktojnë votat me kusht dhe ato të mërgatës”, tha Osmani.
Ajo ka falënderuar gjithë ata që kanë ardhur nga mërgata për të votuar për ndryshimin në Kosovë.
Cilido që jetë rezultati në fund pas numërimit te të gjitha votave, Osmani ka theksuar se do ta pranojnë atë.
“Ne do të presim numërimin final, sepse sa më shumë numëroheshin votat, dhe tani dallimi është 0.7 për qind dhe prandaj është e domosdoshme që të pritet numërimi i votave me kusht dhe atyre të diasporës. Cilido që të jetë ne do ta pranojmë verdiktin e popullit”, u shpreh ajo.
Aktualisht Vetëvendosje po prinë me rreth 26 për qind, LDK me rreth 25 dhe PDK me 21 për qind.




