Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, janë parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku tash e një orë ka filluar takimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa janë duke vazhduar takimet në përpjekje për arritjen e një marrëveshje për formimin e koalicionit qeverisës.
Takimi i djeshëm ndërmjet këtyre dy liderëve ka përfunduar pa marrëveshje.
LDK po insiston në postin e Kryeparlamentarit dhe zotimin për postin e Presidentit, derisa VV këmbëngulë që Glauk Konjufca të mos shkarkohet nga detyra kryetarit të Kuvendit, në të cilën ishte zgjedhur në seancën konstituive të 26 dhjetorit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kanë nisur edhe një takim në përpjekje për të formuar koalicionin bashkëqeverisës.
Përkundër që Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se në takim do të jenë të pranishëm ambasadorët e shteteve të QUINT-it, para takimit në te Kuvendi i Kosovës, janë parë vetëm ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Held dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, por nuk dihet nëse ata janë në takim.
Para takimit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se “LDK-ja ka paraqitur ofertën që është shumë e balancuar”, raporton Telegrafi.
Ai ka thënë se LDK nuk i ka ftuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it, dhe se këtë e ka bërë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Për dallim nga Mustafa që ka folur për gazetarët, lideri i LVV-së, Albin Kurti ka hyrë brenda pa thënë asnjë fjalë për mediat.







