U duk se takimi ndërmjet kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafa e Vjosa Osmanit dha rezultatet e para drejt një marrëveshjeje finale për të bashkëqeverisur vendin. Ndonëse në parim Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar për të bashkëqeverisur, sot ka sinjale të reja.
Burime të NeoGazeta të afërta me Lidhjen Demokratike kanë rrëfyer edhe detaje se si Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kishin shkuar të parapërgaditur në takim me Isa Mustafën duke e befasuar këtë të fundit.
“Vjosa dhe Albini vecse ishin dakorduar për shumë qështje prapa shpinës së LDK-së”.
“Përvec pozitës së Kryeministrit, Vjosa me dy duart donte të i jepte Vetëvendosjes edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Fianancave, Tregti dhe Industri, Shëndetësisë si dhe ministrinë e Drejtësisë”.
“Lidhjes Demokratike do t’i mbeteshin vetëm Ministria e Jashte, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Arsimit”
“Vjosës krejt cka po i intereson është të bëhet ministre e jashtme të tjerat krejt don me ia falë Albinit, por nuk është e drejt se pa ne ai nuk mund të bëhet kryeministër, dhe mos të harrojmë se as 1% më shumë vota nuk i ka sa i përket rezultatit”.
Ai vazhdon duke theksuar se nuk dihet si do të veprojnë në vazhdim.
“Sot mbledhja shkoj me disa tensione, shumica nuk pajtohet, madje edhe Kryetari ishte ndarë i befasuar nga situata që ishte futur në atë takim. Kemi vendosur të i presim rezultatet përfundimtare deri atëher ska më takime. Nuk e dijmë cfarë do bëjmë në vazhdim”
Ndërkohë pas takimit ka folur para mediave zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, i cili tregoi për diskutimet që ka bërë kryesia.
Ai ka treguar se vazhdimi i negociatave më VV-në për koalicion do të vazhdojë vetëm pas certifikimit të rezultateve nga KQZ.
“Sot diskutuam për rezultatin e ngushtë me Vetëvendosjen. Po presim rezultatin final. Mos të përjashtojmë edhe votat e diasporës. Zhvillimi i takimeve me VV do të fillojë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ. Në momentin që certifikohen rezultatet do të fillojmë bisedimet me VV. Kemi një rezultat të ngushtë kemi dallim me pak se 2500 vota. Andaj do t’i presim certifikimin e rezultateve. Takimi i radhës më VV-në do vazhdoj pas certifikimit”, tha Mustafa. / NeoGazeta







