Kryeministri Kurti përuron Poliklinikën Specialistike në Podujevë

- Shpërndarje nga ILIRIANPOST.COM

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vizitoi sot Podujevën për të përuruar Poliklinikën Specialistike, investim me vlerë rreth 2.43 milionë euro. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri në detyrë Arben Vitia dhe kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili po synon një mandat të dytë.

“Ky institucion shëndetësor do t’u mundësojë qytetarëve të marrin shërbime të specializuara pa qenë nevoja të udhëtojnë në Prishtinë. Vlera e përgjithshme e investimit është rreth 2.43 milionë euro dhe do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera në Podujevë, gjithmonë në të mirë të qytetarëve”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, Bulliqi u shpreh se qytetarët do të kenë 15 shërbime të reja në këtë poliklinikë:
“Nuk do të kenë më nevojë të presin e të maltretohen në Prishtinë. Jemi të kënaqur që kemi krijuar një ambient modern me kushte dhe standarde bashkëkohore”, deklaroi ai.

Ai shtoi më tej:
“E di që me ministrin kemi pasë shumë diskutime e sende se si ta bëjmë më shpejt dhe më mirë, por ja që erdhi ky moment shumë i gëzueshëm”, tha Bulliqi për gazetarët.

Megjithatë, Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me takimet e mundshme me partitë e tjera për sigurimin e votave për formimin e qeverisë.

Podujeva, komunë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ka përfituar së fundmi edhe investime të tjera. Në prag të zgjedhjeve lokale, qeveria në detyrë e Kurtit i ka ndarë 4 milionë euro kësaj komune për të rregulluar shtratin e lumit Llap.
Gjatë mandatit të saj, shumë komuna janë ankuar për mungesë fondesh nga qeveria për zbatimin e projekteve të tyre.

/ILIRIANPOST.COM

- Shpërndarje nga ILIRIANPOST.COM